Burak Bir
15 Nëntor 2023•Përditësim: 15 Nëntor 2023
Duke refuzuar një politikë të profilit të lartë që kishte për qëllim të ndihmojë në çështjen e migracionit, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi të mërkurën se plani i qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda është i paligjshëm, raporton Anadolu.
Plani i diskutueshëm që synon të dëbojë azilkërkuesit në Ruanda ndërsa kërkesat e tyre vlerësohen u shpall i paligjshëm nga gjykata më e lartë, pasi ata gjetën se vendi i Afrikës Lindore nuk është vend i sigurt ku mund të strehohen azilkërkuesit.
Gjyqtarët e gjykatës mbështetën njëzëri vendimin e Gjykatës së Apelit se politika ishte e paligjshme. Në janar, aktivistët dhe azilkërkuesit fituan një sfidë ligjore ndaj planit për dërgimin e emigrantëve në Ruanda pasi Gjykata e Apelit vendosi se plani i dëbimit ishte i paligjshëm.
Plani ishte një nga temat më të diskutueshme të politikës së migracionit të qeverisë, pasi shkaktoi kritika ndërkombëtare dhe protesta masive në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Plani, i nënshkruar në prill 2022 nga sekretarja e atëhershme e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Priti Patel dhe ministri i Jashtëm i Ruandës, Vincent Biruta, parashihte dërgimin e azilkërkuesve që përpiqeshin të hynin në Mbretërinë e Bashkuar në Ruanda.
Trajtimi i kalimeve me varka të vogla nga emigrantët e parregullt nëpër Kanalin Anglez është ndër pesë prioritetet e qeverisë britanike, pasi vitin e kaluar më shumë se 45 mijë emigrantë mbërritën në vend në këtë mënyrë.