Ekip
29 Prill 2020•Përditësim: 30 Prill 2020
Ish-shefi i inteligjencës saudite ka thënë se vrasja e mbretit Faisal ishte një akt i hakmarrjes personale dhe nuk ka pasur përfshirje të ndonjë agjencie të huaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë të transmetuar në kanalin saudit Rotana Khalijia, Princi Turki Al Faisal tha se ai ishte ngarkuar me detyrë nga ish-mbreti Khalid për të drejtuar hetimet lidhur me këtë vrasje.
Ai tha se "mbante kontakte me të gjitha burimet në dispozicion në atë kohë brenda dhe jashtë vendit".
"Hetimet që vazhduan për dy muaj arritën në përfundimin se vrasja e mbretit Faisal ishte një veprim individual dhe asnjë palë e huaj nuk kishte asnjë lidhje me të", tha ai duke u cituar nga Gazeta Saudite.
Mbreti Faisal u qëllua për vdekje nga nipi i tij Princi Faisal bin Musaid më 25 mars 1975 ndërsa ai ishte në një takim me një delegacion të Kuvajtit në Rijad, kryeqytetin e Mbretërisë.
Ish-shefi i inteligjencës konfirmoi se motivi i vrasjes përfshinte "si politikat personale ashtu edhe ato të mbretit Faisal".
Ai tha se Mbreti Faisal arriti të bindë disa figura të opozitës saudite që banonin jashtë shtetit për t'u kthyer në Mbretëri.
Duke folur për një çështje tjetër, ai tha se kishte "bashkëpunim saudito-amerikano-pakistanez për të mbështetur muxhahidët kundër pushtimit" të Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet e '80-ta.
Ai shtoi se kishte një ofertë sudaneze për ekstradimin e Osama bin Ladenit, ish-kreut të grupit terrorist Al-Kaeda.
"Në vitin 1995, ish-presidenti sudanez Omar Bashir i ofroi t'ia dorëzonte Bin Ladenin Mbretërisë me kusht që ai të mos ndiqej penalisht, por qeveria saudite e hodhi poshtë këtë ofertë", tha ai.
"Pas kësaj unë shkova me një letër nga Princi i Kurorës së atëhershme Abdullah drejtuar Mullah Omarit, udhëheqësit taleban të Afganistanit, duke kërkuar ekstradimin e Bin Ladenit në mënyrë që ta sjellim në Rijad, por kjo nuk ndodhi", shtoi ai.
Ai mohoi çdo përfshirje të inteligjencave saudite dhe amerikane në krijimin e Al-Kaedës.