Ömer Erdem
20 Prill 2023•Përditësim: 20 Prill 2023
Ministria e Mbrojtjes e Çadit njoftoi se 320 ushtarë sudanezë kanë mbërritur në Çad, duke ikur nga konflikti në atdheun e tyre, raporton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes së Çadit, Davud Yahya, konfirmoi hyrjen e ushtarëve sudanezë në territorin e Çadit.
"Rreth 320 anëtarë të ushtrisë sudaneze, e cila përbëhet nga xhandarmëria, policia dhe personel ushtarak, hynë në vendin tonë dhe më pas u çarmatosën", tha Yahya.
Ai shtoi se ushtarët që u dorëzuan te forcat e sigurisë Çadiane u larguan nga vendlindja e tyre nga frika se mos vriteshin nga formacioni paraushtarak të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), e cila po lufton me ushtrinë sudaneze.
Rreth 300 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 3.000 janë plagosur në përleshjet e armatosura midis ushtrisë sudaneze dhe formacionit paraushtarak të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), njoftoi Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai përsëriti thirrjen e tij ndaj të gjitha palëve që t'i kushtojnë vëmendje thirrjes për një armëpushim humanitar, e cila do t'u mundësonte personat e bllokuar në luftime të kërkojnë strehim.
Luftimet e ashpra midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së vazhduan pranë pallatit presidencial në Khartoum të mërkurën.
Ndërsa RSF akuzon ushtrinë se ka sulmuar forcat e saj në jug të Khartoumit me armë të lehta dhe të rënda, ushtria pretendon se forcat paraushtarake po "përhapin gënjeshtra" dhe i ka shpallur ata një grup "rebel".