Fotoreporteri turk me famë botërore, Coşkun Aral, të hënën u shfaq online për shikuesit si pjesë e një ekspozite në internet për të shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Projekti Exodus - Deja Vu ka fituar vlerësim ndërkombëtar që kur u mbajt për herë të parë në vitin 2016 dhe ndër të tjera përmban veprat e fotografëve dhe fotoreporterëve të njohur si Coşkun Aral, Guillermo Arias, Yalda Moayeri dhe Sergey Ponomarev.
AA është partneri global i komunikimit për këtë ngjarje, së bashku me organizata té tjera që janë me reputacion, përfshirë UNHCR dhe Amnesty International.
Këtë vit, për shkak të koronavirusit, ekspozita u mbajt online dhe u hap për shikuesit më 20 qershor, Ditën Botërore të Refugjatëve.
Fotografët u intervistuan online, folën për punën e tyre të paraqitur në projekt dhe rëndësinë e Ditës Botërore të Refugjatëve për një fotoreporter.
Coşkun Aral, korrespodent turk nga lufta, fotoreporter, gazetar televizioni dhe producent i një filmi dokumentar, po ashtu është pjesë e projektit dhe u intervistua online.
Ai u bë pjesë e projektit Exodus Deja Vu pas punës së tij të gjerë për refugjatët në Suedi.
30 vjet kanë kaluar, vuajtjet e refugjatëve nuk kanë ndryshuar
Fotografitë e Coşkun Aral që paraqesin refugjatë duke ikur nga Iraku në Turqi nga brutaliteti i Saddam Husseinit, që datojnë nga viti 1991, ndër të tjera, janë paraqitur në projekt.
"Kanë kaluar 30 vjet, por vuajtjet e refugjatëve nuk kanë ndryshuar, në të njëjtin territor gjeografik. Po ashtu ka pasur edhe një krizë tjetër në vitet 1970 në Irak. Kjo ishte koha kur vendosa të fotografoj refugjatët dhe të tregoja historitë e tyre në botë”, tha ai.
Ai ka punuar në Afrikë, Pakistan, Indi dhe shumë vende të tjera dhe ka parë të njëjtat vuajtje.
Refugjatët bëjnë përpjekje për mbijetesë dhe tani COVID-19 nuk është problemi i tyre i vetëm. Ne duhet të mendojmë për këtë dhe të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të përmirësuar këtë situatë, sipas fotoreporterit.
"Ne duhet t’i rrisim këto lloj projektesh, ngjarjesh, ne duhet ta bëjmë këtë më tepër. Jo vetëm fotoreporterët, por të gjithë me ndërgjegje duhet të sjellin vëmendjen për refugjatët", shtoi ai.
Çdokush mund të bëhet refugjat brenda natës
Qeveritë duhet të udhëheqin njerëz dhe organizata për të rritur ndërgjegjësimin për refugjatët dhe njerëzit duhet të veprojnë me ndërgjegje, tha Aral.
Është shumë me rëndësi që të trajtohen perspektivat negative mbi refugjatët, dhe varet nga ne, njerëzit, ta bëjmë këtë, theksoi Aral.
"Këto vështirësi mund t'i ndodhin kujtdo në botë. Në Ruandë, kam parë shumë brutalitete, vdekje të qindra mijëra njerëzve. Kur kjo vështirësi godet njerëzit, ata kanë tendencë të humbasin arsyen plotësisht, dhe kjo mund t'i ndodhë kujtdo. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë për përfitime politike ose krijimin e fuqisë së lirë punëtore nga refugjatët, por me motivime humanitare", shtoi ai.
Fotografia mund të ngjallë empatinë te njerëzit
Njerëzit janë dëbuar nga vendet e tyre për një kohë të gjatë dhe imazhet mund të ngjallin ndjeshmëri në sytë e shikuesve, sipas Aral.
"Një fotoreporter para se gjithash duhet të veprojë sipas qëllimeve humanitare. Por, fotografia mund të rrisë empatinë dhe ndërgjegjësimin në mendjen e njerëzve për refugjatët", shtoi fotoreporteri.
Arkivimi dhe dokumentimi është shumë i rëndësishëm, sepse na lejon të gjurmojmë historinë tonë dhe ta shikojmë të ardhmen më me shkëlqim. Kjo është e njëjta gjë edhe për fotogazetarinë, tha ai.
Traumat që ka përjetuar në të gjithë botën në zonat e luftës po ashtu e kanë prekur atë keq, fizikisht dhe psikikisht.
"Kam besim se i bëjmë gjërat për një arsye. Ne jemi të detyruar të lexojmë, punojmë, bëjmë pyetje dhe kjo është ajo që bëra me kamerën time", tha ai.
Projekti vazhdon me më shumë intervista
Ekspozita e parë Exodus u mbajt në vitin 2016 në Kuala Lumpur, duke vazhduar në Bangkok, Chiang Mai, Ankara dhe Stamboll.
Fotografët e paraqitur në projekt do të intervistohen çdo ditë në faqen e projektit në Instagram.
Ekspozita mund të shihet në internet në "www.exodus-dejavu.com".